Lineker për golin e Shikut: Ky gol ishte me të vërtetë “shik”!

Në 1987 në “Qemal Stafa” një gol të përafërt e shënoi Shkëlqim Muça, apo ndoshta edhe më të bukur në derbin 17 Nëntori (Tirana)-Partizani. Një vit më vonë, Dragan Stojkoviç shënoi gati nga mesi i fushës në derbin Crvena Zvezda-Partizan në Ligën Federale të ish-Jugosllavisë, ndërsa këtë të diel ishte radha e sulmuesit çek, Patrik Shik, që të ishte kandidat për çmim. Futbollisti shënoi gjithashtu gati nga gjysma e fushës në ndeshjen ndaj Skocisë në grupin D të Europianit. Shik ishte autor i të dyja rrjetave, por sidomos e dyta do të jetë kandidate për Golin më të bukur të Europianit.

“Ky gol ishte me të vërtetë shik”, – komentoi legjenda e kombëtares angleze, Geri Lineker, duke bërë lojë fjalësh. Në televizionin amerikan ESPN u komentua se “goli i Shikut sikur erdhi nga një botë tjetër”. Gazetari i këtij televizioni, Gabriele Markoti, deklaroi me shaka se “Shik shënoi që përtej Detit të Irlandës”. Komentatori çek, Jaroslav Hrzhebik deklaroi se “nuk ishte e lehtë të shënohej ai gol, pasi Shiku duhej të shikonte hapësirën përpara tij dhe vendin ku ishte portieri, ai mendoi rrufeshëm dhe veproi shumë shpejt”.

Sfidanti.al