Brazili fiton me “kalin e ngordhur” Venezuelë, por polemikat mbeten!

Nisja ishte me fitore, por nuk dihet ende sesa vlerë mund të ketë ajo. Brazili e fitoi ndeshjen e parë në grup në finalet e Kupës së Amerikës, duke mundur 3-0 Venezuelën në kryeqytetin Brazilia. Markinjos, Nejmar  me penallti dhe Gabriel Barboza ishin autorët e golave për pesë herë kampionët e botës. Nejmar arriti në 67 gola duke qenë vetëm 10 rrjeta larg rekordit të Pelesë që ka 77. Po ashtu, ai pati meritën për krijimin e golit të tretë.

Fitorja nuk do të largojë polemikat dhe dyshimet, ndërsa futbollistët deri në fund ishin kundër që vendi i tyre të organizonte Kupën e Botës, për shkak të epidemisë së koronavirusit. Nuk dihet se çfarë vlerë mund të ketë ky sukses, sepse Venezuela jo vetëm që është një nga skuadrat më të modeste të Amerikës së Jugut, por edhe pati 8 lojtarë mangut për shkak se dolën pozitivë me Kovid. Venezuelianët kurrë nuk kanë fituar ndaj Brazilit në një ndeshje zyrtare, por duhet thënë se arriti të kufizojë dëmet, duke pasur edhe fat. Vendasit humbën shumë raste, sidomos sulmuesi i Evertonti, Risharlison.

“Kjo ishte fitore kolektive, – tha trajneri brazilian, Tite, – ishte e rëndësishme ta nisnim me sukses dhe e bëmë. E vërtetë që Venezuela kishte mungesa, por presioni ishte i gjithi mbi ne. Lojtarët janë të lodhur pas një sezoni të gjatë dhe duhej të kursenim energji. Jam i kënaqur me ekipin”.

Gjithsesi, analistët televizivë patën kritika për lojën e “selesaos” duke theksuar se Tite u tregua shumë i kujdesshëm në lojë, duke pasur parasysh sesa i dobët ishte kundërshtari. Brazili do ta luajë ndeshjen e dytë ndaj Perusë në Rio de Zhaneiro, ndërsa në grup janë edhe Kolumbia dhe Ekuadori. Vendasit jepen favoritë për trofeun, ndërsa kandidatë për titull janë edhe Argjentina e Uruguaj, ndonëse Kupa e Amerikës ka treguar se ka dhuruar të papritura.

Sfidanti.al