Është ende tepër larg arritjes së madhe, por që të ëndërrosh nuk të kushton asgjë. Aq më tepër, ëndrrat janë t ligjshme kur sapo ke fituar “Rolan Garosin”, të mbiquajturën “Kupën e Musketierëve”, pronar i së cilës gjatë këtyre dy dekadave ka qenë kryesisht Rafael Nadal. Novak Gjokoviç ka fituar dy Grand Slemet e vitit 2021 deri tani, pasi triumfoi edhe në Australian Open, ndërsa i mbetet të synojë Uimbëlldonin, US Openin, si dhe medaljen e artë në Lojrat Olimpike në Tokio. Nëse ia del, do të ishte mashkulli i parë në histori, dhe njeriu i dytë në tenis pas legjendës gjermane, Stefi Graf, që e bëri në 1988.
“Çdo gjë është e mundur, – thotë Gjokoviç, – me mua mund të ndodhë çdo gjë, për vetë atë që kam kaluar në karrierën time dhe në jetë. Sukseset kanë qenë të mëdha dhe pakkush mund të mendonte se mund të arriheshin. Gjithsesi, le të mos flasim para kohe, sepse unë isha në këtë pozitë edhe në 2016, por pastaj u munda në Uimbëlldon. Edhe atëherë synoja Slemin e artë (Golden Slam), por nuk ia dola. Le të gëzohem sado pak me këtë sukses, dhe për pak ditë të mendoj për Uimbëlldonin. Natyrisht, mund ta them se në Uimbëlldon shkoj për të fituar titullin”. Gjokoviç po ashtu u bë i pari tenist në epokën e re (të Hapur) që ka fituar çdo Grand Slem të paktën dy herë.
Sfidanti.al