Luka Modriç thekson arrogancën angleze, veçse të gazetave!

Tre vjet më parë ishte në krye të ekipit që i shkaktoi ishullorëve një humbje të hidhur dhe nuk i la të arrinin në finalen e Kupës së Botës. Luka Modriç udhëhoqi Kroacinë në gjysmëfinalen në Rusi, fituar 2-1 ndaj Anglisë pas kohës shtesë, ndërsa ylli i Realit të Madridit do të jetë sërish sot në fushë për të shkaktuar një tjetër surprizë. Luhet Angli-Kroaci në “Uembli” dhe mesfushori 36-vjeçar nuk ia përtoi një fshikullime për rivalët, veçse jo për lojtarët. “Mendoj se po tregojnë shenjë të një vetëbesimi të tepruar, – tha ai, – por, kjo arrogancë nuk ka të bëjë me lojtarët, por me ata që i rrethojnë, me disa nga gazetarët dhe analistët. Nuk është se i kam ndjekur shumë kohët e fundit sepse kam dashur më shumë të merrem me futbollin”. “Gjithsesi, unë mendoj se Anglia është më mirë sesa ishte 3 vjet më parë, pa asnjë dyshim, – vazhdoi kroati, – nuk mund të veçosh një lojtar si kërcënimin më të madh, ata kanë shumë lojtarë mjaft të mirë, shumë të talentuar dhe të uritur. Anglia është një nga favoritët, aq më shumë që luan në shtëpi”.

Sfidanti.al