Ende ka mundësi teorike, por duket tepër e vështirë ndërsa mosha ecën dhe vitet rrjedhin pa u ndalur. Lebron Xhejms mbeti në 4 tituj kampion në NBA, dy më pak sesa Majkëll Xhordani, ndërsa Los Anxhelos Lejkërsat u eleminuan nga plej ofi i NBA-së. Kalifornianët u dorëzuan para Feniks Sansit, “diellit që po ngrihet” siç thonë në SHBA, dhe i tha “lamtumirë” sezonit dhe ëndrrave për të mbrojtur titullin e fituar vjet. Kjo ishte hera e parë që Lebroni provon eleminimin që në turin e parë në plej of gjatë gjithë karrierës së tij.
Në moshën 36-vjeçare, ai nuk luajti keq, shënoi 29 pikë, kapi 9 topa në tabela, shërbeu 7 asistë , vodhi 2 topa e bllokoi dy gjuajtje, ndërsa e humbi topin vetëm 3 herë. Gjithsesi, gaboi jo pak në gjuajtjet e tij duke pasur mesataren vetëm 42 për qind, dhe vetëm 30 për qind për tri pikë. Entoni Dejvis luajti vetëm 5 minuta duke qenë i dëmtuar dhe nuk dha thuajse asnjë kontribut, dështim edhe për Mark Gasolin ndërsa Dramond nuk ishte fare në ekip. Shrëder shënoi 20 pikë për Lejkërsat, Kalduell-Poup 19, e Metjus me Horton-Takerin nga 12.
Feniksi ishte më lart dhe fitoi 113-100 edhe pse u luajt në “Stejpëll Sentër” në Los Anxhelos. Devin Buker ishte i shkëlqyer me 47 pikë, plus 11 topa në tabela e 3 asistë. Ai ishte i jashtëzakonshëm për tri pikë duke shënuar 8 nga 10 gjuajtjet. Xhou Krauder shtoi 18 pikë, por që të gjithë basketbollistët miq shënuan, duke qenë më mirë se Lejkërsat në topat në tabela, në asistë dhe në saktësi.
Sfidanti.al