Herën e kaluar, “Liqenasit” bënë debutimin në “Stejpëll Sentër” në plej of pas 8 vjetësh dhe arritën një fitore, por “muaj mjalti” me shtëpinë nuk ka. U desh të vinte ndeshja e dytë në Los Anxhelos, që Lejkërsat të provonin humbjen duke u kthyer në pozita inferioriteti ndaj Feniksit në raundin e parë. Skuadra e “Diejve” (Sans) fitoi 100-92 duke barazuar shifrat e ndeshjeve në 2-2, ndërsa ka epërsinë e faktorit “fushë” nëse do të jetë e nevojshme në ndeshjen e 7-të. Pavarësisht se ndaj Lebron Xhejmsit nuk i dihet asnjëherë, dhe duhet luftuar deri në fund, Feniksi tregoi karakter, ndërsa Lejkërsat humbën yllin numër 2, Entoni Dejvis.
Ai doli nga loja në pushim duke luajtur vetëm 17 minuta e duke shënuar vetëm 6 pikë, plus 4 topa në tabela e 3 asistë. Ai rëndoi dëmtimin që kishte që më parë dhe doli nga parketi duke mbajtur gjurin me dorë. Në mungesë të tij, Lebroni nuk mundi të ishte vendimtar, ndonëse shënoi 25 pikë, kapi 12 topa në tabela e shërbeu 6 asistë. Feniksi luajti si skuadër. Kris Pol shënoi 18 pikë (plus 9 asistë), Krauder e Buker shënuan nga 17 pikë (ky i fundit pati 7 topa në tabela e 5 asistë), Deandre Ejton shënoi 14 pikë e kapi 17 topa në tabela, Pejn shtoi 13 pikë dhe Brixhs 11.
Sfidanti.al