Vllaznia fiton Kupën, feston qyteti më sportiv i Shqipërisë!

Ishte prilli i vitit 1984 dhe dy autobusë të mbushur plot me sportistë dhe dashamirës të sportit nga Shkodra mbërritën pranë klubit sportiv “Partizani” në kryeqytet. Ata kishin bërë gati 120 km që ndanin dy qytetet për të nderuar për herë të fundit legjendën Loro Boriçi që sapo ishte shuar. Një urdhër i dhënë nga lart (Byroja Politike) thoshte që për Loron nuk duhej të kishte homazhe, edhe pse intelektuali i futbollit kishte qenë i respektuar në kohën e kaluar.

Kur të ardhurve nga Shkodra iu tha se nuk duhej të bënin homazhe, ata e prenë shkurt. “Ne kemi bërë 100 e ca kilometra për të nderuar këtë burrë dhe do ta bëjmë”, – ishte përgjigja. Kjo prishi gjithë protokollin sepse homazhet për Loron, desh s’desh Byroja, u bënë.

M’u kujtua kjo ngjarje që ma ka treguar miku im i madh Sokol Morina, pikërisht pasi Vllaznia fitoi Kupën e Shqipërisë për herë të 7-të në histori, trofeu i parë i saj në 13 vjet! M’u kujtua sepse më bindi për dashurinë e madhe të Shkodrës për sportin, aq mund t’i dilte kundër edhe “perëndive” të asaj kohe në Shqipëri. Pavarësishts e Skënderbeu dhe Korça, në një farë mënyre ishin fituesit moralë të finales së Kupës, ashtu si Vllaznia ishte fituese morale e Superligës, sërish suksesi i djemve nga Shkodra ishte një emocion i madh.

Në asnjë qytet të Shqipërisë tifozët nuk mund të kënaqen aq shumë, nuk mund të gëzojnë aq paskajshëm, nuk mund ta përjetojnë aq thellësisht në shpirtin e tyre një sukses sportiv sa në Shkodër. Me “Erën e Ndryshimit” që po fryn në vendin ujrave, aty ku bashkohen Liqeni, Drini e Buna, me një bashki që më në fund po i shet aksionet dhe me djem të përkushtuar Vllaznia padyshim e meritoi, edhe pse drejtuesit teknikë u shkodranizuan rrugës, si trajneri gjermano-kroat Tomas Brdariç, dhe drejtori teknik kroato-shqiptar, Matko Gjarmati. Le të shpresojmë që kupa e fituar me golin e Da Silvës në minutën e 39-të të jetë vetëm fillimi i një periudhe të re suksesesh për Vllazninë e Shkodrës, për të mirën e futbollit të qytetit, por edhe të gjithë Shqipërisë.

Sfidanti.al