Kaluan dy javë, por “uji fle, hasmi s’fle”. Pra Aleksandër Çeferini nuk ishte aspak duke fjetur, por presidenti i UEFA-s bashkë me hetuesit e tij sportivë po bënin gati letrat për klubet rebelë të Superligës Europiane. Nuk do të ketë procedime për 6 klubet angleze që u tërhoqën në kohën e duhur, as për Milanin e Interit dhe as për Atletikon, por për “treshen e madhe”, të përbërë nga Reali i Madridit, Juventusi e Barcelona, të cilët nuk janë penduar aspak dhe as nuk i kanë dhënë fund ligjërish përpjekjeve të tyre.
UEFA lajmëron se ka nisur procedimin sportiv për të nxjerrë fajin dhe për të marrë masat. Inspektorët kanë dashur 2 javë kohë për të përgatitur dosjen me shkeljet e procedurave. Projekti doli në dritë në mes të prillit, por u anulua për disa ditë pas presionit të madh popullor, sidomos të tifozëve të klubeve angleze dhe pastaj kërcënimeve nga UEFA, ndonëse “Nju Jork Tajmsi” shkruan se FIFA dhe Infantino ishin dakord. Pritet një betejë ligjore në UEFA, në KAS-in e Zvicrës dhe pastaj në gjykatat civile europiane.
Sfidanti.al