Dy nga klubet kryesorë të Superligës shqiptare kanë marrë një vërejtje. Fjala është për Partizanin e për Laçin, veçse ndërsa për të kuqtë paralajmërimi është me emër, direkt për drejtorin sportiv, Olsi Rama, për kurbinasit në vendim nuk sqarohet se për çfarë është fjala. Rama akuzohet se është sjellë keq me zyrtarët e ndeshjes, në sfidën që Partizani fitoi në Durrës ndaj Teutës, ndërsa flitet se ai ka ofenduar arbitrin Olsid Ferataj, e është dashur ndërhyrja e policisë private në stadium për ta larguar. Drejtori i të kuqve me gjasë është acaruar pasi Ferataj dha fillimisht penallti për durrsakët, ndonëse më pas e ndryshoi vendimin, ndërsa të kuqtë pretendojnë se arbitrimi ishte i njëanshëm dhe kundër tyre.
Përsa i përket Laçit, paralajmërimi është se nuk ka përmbushur detyrimet për ndeshjen, veçse duhet theksuar se kurbinasit luajtën në fushën e Tiranës, pra jo në stadiumin e tyre dhe detyrimet në radhë të parë i kishte ekipi pritës. Në një nga ndeshjet e kaluara, Laçi u dënua me 100 000 lekë gjobë pasi u godit trajneri i portierëve i Partizanit, Bozhiqi, nga një send i fortë i hedhur nga dikush në stadium.
Sfidanti.al