Pirlo thërret “objektiv i realizuar”, por a mund të besohet te kjo Juve?!

Kur fiton ndaj Interit padyshim që ekziston një kënaqësi e madhe, aq më shumë kur flitet për skuadrën e shpallur kampion. Suksesi 3-2 i bën nder Juventusit dhe trajnerit të tij, Andrea Pirlo, por a mund të thuhet se tekniku ka të drejtë kur thërret se “e realizuam objektivin” dhe se “kjo skuadër nuk ka nevojë të rithemelohet”. Nuk diskutohet që kjo ishte një provë krenarie, por gjithsesi nuk mund të mohohet se objektivi për të shkuar në Champions ende nuk është realizuar dhe se Juventusi ende nuk varet nga vetja. Mjafton që Milani e Napoli të fitojnë ndeshjet e tyre, dhe “Zonja e Vjetër” zbret në Ligën e Europës për herë të parë që nga viti 2011. Pirlo ka të drejtë kur thotë se “për ne kishte rëndësi të mbanim gjallë shpresën”. Kjo u arrit, veçse edhe në të kaluarën shpesh Juventusi pati fitore të rëndësishme, siç ishte ajo në Milano ndaj Milanit në Serinë A, apo në Kupën e Italisë ndaj Interit po në Milano. Problemi kryesor i kësaj skuadre është vazhdimësia. Juventusi ka 75 pikë, po aq sa Milani dhe dy pikë më shumë se Napoli, por këto kanë nga një ndeshje më pak.

Sfidanti.al