Arsenali i jep fund “muajit të mjaltit” të Çelsit

Kishte 4 fitore e një barazim në Premier Ligë, fitore në gjysmëfinale të Kupës së Anglisë, si dhe dy kualifikime radhazi në Champions duke eleminuar Porton e Realin e Madridit. Plot 7 fitore, 2 barazime e vetëm 1 humbje pa pasoja me Porton, dhe periudha nga 7 prilli deri në 11 maj mund të cilësohej si muaji i mjaltit i Çelsit të Londrës me sezonin e tanishëm të futbollit. Kjo ecuri e mrekullueshme që përfshin edhe dy fitoret ndaj Mançester Sitit, një në “Uembli” për Kupën e një në “Etihad” për Premier Ligën, mori fund me disfatën ndaj Arsenalit këtë mbrëmje. Ishte një derbi i kampionatit, i humbur 0-1 në “Stemford Brixh”, vendosur nga goli i Smith-Rouvit në 16’. Çelsi ka 64 pikë pas 36 ndeshjeve, ndërsa Leisteri ka 66 në po kaq sfida, Uest Hemi 58 pikë në 35 dhe Liverpuli 57 pikë në 34 ndeshje. Të kuqtë ende janë të rrezikshëm për zonën Champions. Në Premier mbeten dy ndeshjet ndaj Leisterit në shtëpi në 19 maj dhe në fushën e Aston Vilës në 23 maj, finalja e Kupës së Anglisë në 15 maj ndaj Leisterit dhe finalja e Championsit në 29 maj ndaj Mançester Sitit.

Sfidanti.al