Tomori thyen rekordin e Ronaldos, por tek Milani janë të zemëruar!

Nuk është ndonjë reagim zyrtar i klubit sepse nuk mund të merret me këto gjëra, por janë “shfrimet” e mediave tifoze të kuqezinjve që ndihen të pavlerësuar lidhur me futbollistin e tyre. Fikajo Tomori bëhet fjalë se ka thyer rekordin e lartësisë së kërcimit në shënimin e një goli në Serinë A, duke arritur lartësinë 2.63 metra kur realizoi ndaj Juventusit në Torino. Mbrojtësi anglez iu shkëput në lartësi rivalit direkt të momentit, Xhorxho Kielini duke shënuar në portën e Sheznit në fitoren 3-0. Tomori theu rekordin që mbahej nga Kristiano Ronaldo vendosur sezonin e kaluar me golin e shënuar në Gjenovë ndaj Sampdorias, kur arriti lartësinë në kërcim prej 2.54 metrash. Mediat pranë Milanit komentojnë me zemërim se rekordit të Ronaldos iu bë reklamë e madhe, a thua se kishte zbritur në Hënë, ndërsa për rekordin e Tomorit nuk po flet askush. Mbrojtësi i Milanit ka një shtatlartësi prej 1.84 metrash, ndërsa CR7 është 3 cm më i gjatë, 1.87 metra.

Sfidanti.al