Përse Barcelona bëri sërish “vetëvrasje” në La Liga?!

Kjo është pyetja e mediave spanjolle pas barazimit 3-3 të katalanasve në fushën e Levantes, që ia heq thuajse përfundimisht shpresat për të fituar titullin kampion. Lionel Mesi me shokë realizuan një pjesë të parë shumë të mirë, duke e fituar 2-0, por pastaj u shuan pas pushimit, ndërsa pikëpyetjet shtohen për yjet kryesorë, për djemtë e rinj dhe për trajnerin Kuman. Ndër më të kritikuarit portieri Ter Shtegen që pësoi 3 gola me 5 gjuajtje në portë, dyshja e qendrës së mbrojtjes Pike-Lengle, Dembele si një djalosh i çrregullt për të qenë profesionist, De Jong që nuk ishte aq i fortë sa duhet, Zhordi Alba krejt i hutuar në fazën mbrojtëse, Pedri i lodhur dhe Grizman që nuk po gjen “nordin” e tij pavarësisht përpjekjeve të mëdha që bën në fushë. Sergi Roberto që hyri në pjesën e dytë ishte ndër më të dobëtit.

Sa i takon Mesit, kritika ishte se “kur as lojtari më i mirë në botë nuk beson tek suksesi, pjesa tjetër e ekipit dorëzohet menjëherë”. Të vetmit të lavdëruar pa rezerva ishin Arauho dhe Buskets. Mesi kaloi Barçën në epërsi dhe Pedri shënoi të dytin, por shpejt pas pushimit Melero dhe Morales barazuan. Dembele ktheu katalanasit në avantazh, por Leon barazoi përfundimisht. Barcelona ka 76 pikë në 36 ndeshje, Atletiko kryeson me 77 në 35 ndeshje dhe Reali ka 75 pikë në 35 ndeshje.

Sfidanti.al