Rinovimi i Kavanit është “Jo” për Kejnin e Halandin, “Po” për Sançon!

Tek Mançester Junajtidi e kishin ndarë mendjen dhe këtë gjë e bëri edhe sulmuesi i tyre, pra “bashkëjetesa” mund të vazhdojë. Edinson Kavani nuk do të largohet nga “Old Trafordi”, por çfarë do të thotë kjo për “djajtë kuq” në lidhje me përforcimet e mundshme të verës? Në një epokë krize financiare, dhe dështimi të Superligës Europiane, përgjigja sipas Geri Nevilit është se mbajtja e Kavanit do të thotë se nuk do të investohet për një sulmues klasi si Harri Kejn apo Erling Haland. Ndoshta duket e ekzagjeruar, pasi Kavani nuk është në kulmin e moshës dhe të formës (34 vjeç), por ka kuptim në aspektin financiar. Junajtid mund të përqëndrohet tani që të marrë një lojtar krahu, që i duhet me patjetër dhe ky duhet të jetë Xhejdën Sanço, i disponueshëm për 90 milionë euro, jo për 120 siç ishte vjet. Si mbështetje për Kavanin do të jetë Mejzën Grinvud dhe nuk duhet harruar se në ekip janë edhe Rashford e Marsial.

Sfidanti.al