Ndërsa “Loja me stadiumet” është një spektakël më vete, që shkon edhe përtej ëndrrave, pasi presidenti Duka, tamam këto ditë, ka thënë se stadiumi i Kukësit ia kalon edhe ëndërrave më të mira, dy ndeshje të Superligës, hodhën në erë ëndërrën e shefave për një fund kampionati ku në vend të dhunës do të kishim “puthje”, dhe në vend të ndërhyrjes së policisë do të kishte vetëm bekime për këtë garë të “çmendur” pikësh,që paska zilepsur dhe ndjellur mbarë …Europën!
Ajo që ndodhi në ndeshjen Tirana – Kastrioti , s’ka pikë dyshimi, ishte si një udhëtim në futbollin e frikës, në atë lloj xhungle ku topi dhe futbollistët dalin jashtë misioni, dhe fusha i dorëzohet të fortëve. Flitet se Tirana ka shkelur ligjin e shenjtë të fair-play-t në momentin e golit, kur në këmbë kemi një FSHF që lodron si me top lecke me rregullat dhe me nderin e lojës. Dhe në një futboll që mbijeton duke rrojtur në një fushë të minuar nga dhuna, qoftë e bekuar policia që na jep mundësinë të mbyllim kampionatin vetëm me të plagosur..por jo me viktima!
…Ndërsa udhëheqësi i madh i futbollit te vogël , presidenti Duka, i gëzohet edhe me kapërcim ëndrrash lojës me top betoni në ndërtimin e stadiumeve, ku xhonglimet me milionat janë si golat profetikë nëpër cepat e portave, edhe në Korçë, atje ku thone se degjohet vetem serenata dhe jo “muzika e forcës”, në fund të ndeshjes plasi një zënkë masive mes futbollistëve, si për t’i paralajmëruar se ky fundkampionati, ato që quhen 4 javët e ferrit, më shumë se nga vetë futbollistët, do të vendoset nën kqyrjen e “patronazhistëve të mirë”, forcave të policisë, pa të cilët nuk do të guxonim të hidhnim dot as dy hapa në fushë…
Sfidanti.al