Finalja e tretë angleze në Champions në 13 vjet, si askush tjetër!

Nuk ka tregues më të qartë e më të saktë për dominimin e një kampionati. Edhe pse u deshën 7 vjet që La Liga t’ia linte vendin Premier Ligës si kryesuese e renditjes së UEFA-s, sërish finalet e Championsit kanë nisur të bëhen gjithnjë e më angleze. Mançester Siti-Çelsi është finalja e tretë e gjitha e shpikësve të futbollit në 13 vitet e fundit. Në 2008 patëm Mançester Junajtid-Çelsi dhe në 2019, Liverpul-Totenhem. Asnjë kampionat nuk ka arritur kaq shumë, ndonëse La Liga mund të mburret me finalet Real Madrid-Atletiko Madrid në 2014 e 2016, ndërsa kanë kaluar 21 vjet nga finalja Real Madrid-Valencia. Italianët e kanë humbur prej kohësh dhe mbahet mend Milan-Juventus në 2003, ndërsa gjermanët kanë qenë më bashkëkohorë, në 2013 ishte një Bajern-Dortmund. Premier Liga angleze është prej vitesh më e pasura financiarisht, dhe ka trajnerët më të mirë e më të shumëllojshëm. Përveç Fergusonit e Vengerit, në Angli kanë drejtuar apo drejtojnë Murinjo, Ançeloti, Guardiola, Klop, Benitez, Tuhel, Emeri, Roxhers, Hoxhson.

Sfidanti.al