“Old Trafordi” si gjigandi i përrallës, vetëm “Kamp Nou” mbi të!

Në fillim të viteve 90-të, Sër Aleks Ferguson dhe brezi i shkëlqyer i lojtarëve të Mançester Junajtid, duhet të kënaqeshin me 45 000 tifozë në stadiumin “Old Traford”. Për fat, zona ku ndodhet stadium lejohej për të bërë zgjerime, dhe Junajtid ia nisi punës “me goditje të përqëndruar”. Stadiumi u shtua në 55 000, por “oreksi” sa vinte e rritej. Shtesa tjetër e bëri të kishte kapacitetin 67 000 vende, një nga më të bukurit në Europë.

Dëshira për më shumë tifozë, dhe natyrisht për më shumë para, vazhdoi të ishte e madhe, ndaj edhe ndodhi zgjerimi i fundit deri tani, që e ngjiti kapacitetin e “Old Trafordit” deri në 76 000 vende të ulura. Vetëm “Uembli” i Londrës është më i madh në Angli me 90 000 karriget e tij.

Drejtuesit e “djajve të kuq”, po mendojnë për një tjetër “shtesë kati”, kapaciteti do të rritet në tribunën kryesore, që mban emrin e nderuar të Sër Bobi Çarltonit. Planet janë për të shtuar 12 000 vende dhe kështu “Old Trafordi” do të arrinte në 88 000 spektatorë. Duke lënë mënjanë “Uemblin”, impianti i Junajtidit do të ishte i dyti në Europë përsa i përket atyre që zotërojnë klubet. Vetëm “Kamp Nou”  i Barcelonës ka kapacitet më të madh.

Sfidanti.al