Skandal dhe dyshime trukimi në Serbi, lojtarët ulen në fushë!

Një protestë e ashpër e lojtarëve ndodhi në Ligën e Parë të Serbisë, që është niveli i dytë i futbollit serb, mes Radniçkit të Pirotit dhe Trajalit të Krushevacit. Gjithçka nisi kur gjyqtari Danil Grujiç dha një penallti për Trajalin, dhe pas vendimit futbollistët vendas fillimisht nisën polemikat me të, por pastaj u ulën në fushë dhe nuk deshën të vazhdonin lojën. Nuk pati kartona të kuq, por pas disa minutash ndeshja rifilloi dhe miqtë kaluan në avantazh. Radniçki arriti të barazonte, por sërish në fund vendasit u ulën në fushë në shenjë proteste.

Kjo ndodh ndërsa Liga e Parë e Serbisë është vendosur nën dyshime të forta të UEFA-s për trukime ndeshjesh, në bazë të basteve që vihen në Lindjen e Largme. Sipas mediave serbe, Trajal i Krushevacit është ekipi më i dyshuar nga UEFA, pasi nën hetim janë dy ndeshje të mëparshme, ajo ndaj Jagodinës fituar 3-0 nga vendasit, si dhe ndeshja Slloga-Trajal që përfundoi pa gola. E dyshuar edhe sfida tjetër, Zheljezniçar-Borac. Pritet hetimi i UEFA-s dhe i organeve përkatëse në Serbi, ndonëse ish-komentatori i shquar serb dhe jugosllav, Milojko Pantiç, shpesh ka akuzuar se futbolli  i vendit të tij ka rënë në duar të këqija, se ai drejtohet nga mafiozë, ndërsa ka shënjestruar drejtuesit e federatës, të klubeve kryesorë, madje edhe presidentin Vuçiç si fajtorë për gjendjen.

Sfidanti.al