Reali është ende i dyti, por e meriton të jetë favorit për titull

Ende nuk varet nga vetvetja, pasi Atletiko është përpara, por gjithsesi prova ndaj Osasunës tregoi se kjo skuadër nuk dorëzohet kurrë. Reali i Madridit e shfrytëzoi më së miri gabimin e Barcelonës duke dalë në vend të dytë në La Liga, vetëm 2 pikë prapa Atletikos. Përderisa të besuarit e Simeones kanë provën në “Kamp Nou”, atëherë madrilenët mund të mbeten fort me shpresë për të mbrojtur titullin. Ndaj Osasunës ishte tepër e vështirë, ndonëse ekipi i Zidanit bëri presion pas pushimit, dhe më i miri në fushë ishte qendërmbrojtësi Militao. “Dëshiron të jetë Sergio Ramos”, ishte titulli i gazetës “AS” për brazilianin, që shënoi golin vendimtar në minutën e 76-të. Më pas vulosi Kasemiro. i vetmi problem është që u shpenzuan energji tepër të nevojshme për ndeshjen ndaj Çelsit në Champions. Reali ka një kalendar më të mirë sesa rivalët në kampionat, plus ka më mirë ndeshjet direkte. E ka mundur dy herë Barcelonën, dhe ka një fitore e një barazim me Atletin. Pavarësisht se nuk është në formën maksimale, sërish Madridi është bazuar tek lojtarët me përvojë, tek puna e Zidanit dhe te gabimet e kundërshtarëve.

Sfidanti.al