Do të jetë një finale tashmë klasike në “DFB Pokal”, ndërsa mrekullia e këtij sezoni u detyrua të dorëzohej në katërshe. Borusia e Dortmundit fitoi 5-0 ndaj Holshtajn Kilit, madje duke mos e pasur në radhët e vete rekordmenin e golave, Erling Haland, por edhe pa të e vendosi një rekord. Skuadra e trajnerit Terziç i shënoi të 5 golat në pjesën e parë, gjë që nuk kishte ndodhur ndonjë herë në gjysmëfinale të Kupës. U luajt me një ndeshje, siç është formati, dhe në “Signal Iduna Park” vendasit nuk diskutuan asgjë. Xhovani Rejna në 16’, sërish Rejna në 22’, Marko Rojs në 26’, Torgan Hazar në 32’ dhe Xhud Belingham në 41’ ishin autorët e golave. Dortmundi do ta luajë finalen ndaj Lajpcigut që fitoi një ditë më parë 2-1 në Bremen ndaj Verderit. Terziç shpreson që Haland të jetë gati për në ndeshjet e ardhshme në Bundesligë, sepse Borusia ka nevojë për fitore dhe për gola që të arrijë vendin e katërt, pra kualifikimin në Champions. Sa për Holshtajn Kilin, skuadra e trajnerit Ole Verner është në vendin e katërt në Bundesligën 2, por me shanse të mira për Bundesligën sepse ka luajtur 3 ndeshje më pak se Hamburgu që mban vendin e tretë që të çon të paktën në plej of. Në Kupë, Kil eleminoi Bajernin pas barazimit 2-2 në shtëpi dhe fitore me penallti.
Sfidanti.al