Kthimi i Lebroni Xhejmsit nuk mjafton, Lejkërsat luten që ylli të jetë sërish i madh!

Nuk është e lehtë të japësh maksimumin pas 6 javësh mungese. Lebron Xhejmsi kaloi periudhën më të gjatë të dëmtimit në karrierën e tij të gjatë, dhe kjo u duk se ndikoi në përballjen që Lejkërsat e patën në shtëpi ndaj Sakramentos. Miqtë ia dolën të fitonin me përmbysje në “Stejpëll Sentër”, me shifrat 110-106, ndërsa Lebroni me shokë nuk patën forca për të luftuar deri në fund. Sakramento ia doli në periodën e katërt, ndërsa më të mirët për të ishin Halibërton me 23 pikë e 10 asistë, si dhe Holms me 22 pikë.

Xhejmsi shënoi 16 pikë, kapi 8 topa në tabela e shërbeu 7 asistë në ndeshjen e parë pas dëmtimit, duke bërë një paraqitje shumë të mirë, e duke i dhënë shpresë Lejkërsave për në plej of. Ai u ndodh në fushë për 32 minuta, u ndje mirë fizikisht, dhe pati 50 për qind realizim nga gjuajtjet nga loja. Lejkërsat janë në vendin e 5-të në Konferencën Perëndimore me 36 fitore e 27 humbje, dhe rrezikojnë të zbresin në vendin e 7-të.

Nëse Dallasi e Portlendi i kalojnë, atëherë kalifornianët do të duhet të luajnë një turne plej in për të hyrë në plej of, një ngarkesë më shumë në misionin për mbrojtjen e titullit. Skuadra nga Los Anxhelosi ka nevojë jetike që Xhejms të jetë në formën më të mirë të mundshme, e po ashtu edhe Dejvis, ndërsa periudha negative vazhdon. “Liqenasit” kanë humbur 5 nga 6 ndeshjet e fundit dhe nuk dihet nëse do të kenë energji dhe moral për t’u rikthyer në garë.

Sfidanti.al