Një ditë më parë, mediat katalanase ishin në unison se Reali ia dedikon gjyqtarëve faktin që ndodhet në krye të renditjes së kampionatit. “El Mundo Deportivo” dhe “Sport” jepnin ato raste që, sipas tyre, favorizuan Madridin në krahasim me Barçën apo me Seviljen. Gazetat shkruajnë se ndaj Sociedadit nuk u dha një penallti, ndaj Seltës nuk u dha penallti, ndaj Malagës u anulua pa të drejtë një gol ndaj Pikesë dhe ndaj Vijarrealit nuk u dha penallti. Sipas tyre, Barça do të kishte 4 pikë më shumë.
Një përgjigje nga kryeqyteti nuk vonoi shumë, nëse mund ta konsiderojmë si të tillë. Gazeta “Marka” ngacmon një “plagë”, pikërisht rinovimin e kontratës së Lionel Mesit në klubin katalanas. Gazeta më e madhe sportive në Spanjë, informon se, sipas burimeve të saj, Barcelona nuk i ka bërë ende ndonjë ofertë konkrete Mesit për kontratën e re, madje shton se nuk pritet që kjo të ndodhë shpejt. A mund të quhet një manovër përçarëse, për të krijuar tensione në klubin e “Kamp Nout” pikërisht tani që Reali është në vështirësi? Le të pritet për të parë sesi do të shkojnë ngjarjet, pasi presidenti Bartomeu ka deklaruar publikisht se “La Pulga” do të rinovojë dhe do të mbetet tek Barcelona, ndërsa është dhënë një informacion që bisedimet serioze do të nisin në fund të janarit, dhe pritet që të përfundojnë në mars. Sfidanti.al