FIFA dhe UEFA bëjnë shpesh trajnime dhe leksione për arbitrat shqiptarë. Natyrisht vijnë lektorë nga më të njohurit për të na treguar regullat më të reja të pozicionit jashtë loje, kartonit të kuq etj. Por këtë radhë, institucionet më të rëndësishme të futbollit botëror, trajnimin në vendin tonë e kishin për trukimin. Kjo në fakt është një fjalë e huaj në futbollin tonë, të paktën kështu është pranuar nga drejtuesit më të lartë të Federatës (hiq ndonjë ndeshje kupe), por UEFA dhe FIFA kanë dërguar në vendin tonë lektorët që kanë mësuar arbitrat tanë se si ta dallojën trukimin. Reagimi pas këtij leksioni ka qënë i menjëhershëm. Vetë, një nga arbitrat tanë më të mirë Enea Jorgji ka pranuar në një intervistë televizive se kjo nuk do të jetë e lehtë.
“Nuk është e thjeshtë të dallosh mos impenjimin në fushë nga trukimi. Nuk do ta kemi të lehtë ta konstatojmë”- ka thënë Jorgji. Në fakt, arbitrat tanë, që faullat kur ndodhin jashtë zone i fusin brenda dhe anasjelltas sipas “poltikës” që duhet të ndjekin, apo shpikin penallti edhe ato kur vetë lojtarët nuk i kërkojnë, nuk kanë se si të dallojnë trukimin. Vetëm mund të ketë një përjashtim… Nëse drejtuesit e futbollit tonë, do t’i vënë gishtin ndonjë lojtari që duhet bërë shembull me anë të Komisionit të Etikës për influencim dhe paracaktim rezultati, patjetër që në relacionin final duhet të ketë edhe dy-tre radhë letër “të mbushur” edhe nga xhaketat e zeza, të cilat në këto raste do t’i bëjnë sytë katër për të dalluar “trukimin” nga “tolerimi”…
Pano XHIXHO