Mos i nënvleftësoni, Lejkërsat mundin Bruklinin pa Lebronin e Dejvisin

Kohët e fundit kanë rënë mjaft në renditje sepse dy yjet kryesorë kanë qenë të dëmtuar, por kjo nuk do të thotë se kjo skuadër nuk di të jetë e fortë. Los Anxhelos Lejkërsat kaluan provën tepër të vështirë në Arenën e Bruklinit, përballë Kevin Durantit e Kajri Irvingut (dy lojtarë të Ndeshjes së Yjeve) duke fituar bindshëm 126-101. Veterani Andre Dramond, i marrë si përforcim tani në pranverë, udhëhoqi shokët duke shënuar 20 pikë e duke kapur 11 topa në tabela. Ai ishte i saktë në gjuajtje, i fortë në mbrojtje dhe në sulm.

Bruklini nuk ia doli, përkundrazi u mund keq, edhe pse pati yje të vërtetë në fushë dhe besohet se u kuptua se basketbolli është lojë skuadre. Durant shënoi 22 pikë, kapi 7 topa në tabela e shërbeu 5 asistë në ndeshjen e dytë pas kthimit nga dëmtimi, por e humbi topin 8 herë, e papranueshme për nivelin e tij. Kajri Irving po luante shkëlqyeshëm, por u përjashtua pas 20 minutash, ndërsa kishte shënuar 18 pikë. Veterani Olldrixh shtoi 12 pikë, por pjesa tjetër e skuadrës nuk u ngjit në nivelin që patën lojtarët normalë të Lejkërsave. Për kalifornianët, Shrëder shënoi 19 pikë, Meklemor 17, Morris, Kalduell-Poup e Horton-Taker nga 14, si dhe Mekkini e Harrëll nga 10.

Sfidanti.al