Flasim për trajnerin e sotëm të Lajpcigut, një nga më të mirët gjermanë të momentit, që kërkohet nga ekipi kombëtar, por edhe nga klube nga më të mirët në Europë. Julian Nagelsman është ende tepër i rri, vetëm 33-vjeç, por u dallua që kur ishte 27 vjeç në 2015. Ish-drejtori teknik i Bajernit, Mikael Reshke, tregon për “Sport 1” se presidenti i atëhershëm i klubit, Uli Hënes, u përpoq që ta merrte Nagelsmanin në Mynih. Duke folur në emisionin “Java ime e Bajernit”, Reshke tregoi se Hënesi bisedoi në atë kohë me Julianin që ishte trajner i U19-ës tek Hofenhajmi, dhe donte ta merrte për U19-ën e Bajernit. Gjithsesi, çdo gjë ndaloi kur ndërhyri presidenti i Hofenhajmit, Ditmar Hop, që i tha Hënesit se klubi kishte plane me Nagelsmanin. Për respekt të tij, kreu bavarez u tërhoq dhe në 2016, trajneri i ri u vendos në krye të ekipit të parë të Hofenhajmit, me kontratë deri në 2023. Sipas mediave gjermane, ai është kandidat për të zëvendësuar Hansi Flikun nëse ky vendos të largohet.
Sfidanti.al