Nga sherri për flamurin tek censura televizive, ndeshje historike e Kosovës në Spanjë!

Më në fund zhurma pushoi dhe ia la vendin tingujve. Në stadiumin e Seviljes u ekzekutua më në fund himni i Kosovës, përkundër mungesës së dëshirë së autoriteteve shtetërore të Spanjës për ta dëgjuar atë, dhe për të pranuar një ndeshje me ekipin përfaqësues të vendit që nuk e njeh. Gjithsesi, një sfidë që meriton të cilësohet historike nuk mund të dilte krejtësisht jashtë kornizës së tensioneve dhe përplasjeve.

Për këtë mendoi policia spanjolle që u kërkoi disa tifozëve dardanë në tribunë që të largonin flamurin. Në video dëgjohet qartë tifozi shqiptar që i thotë spanjisht oficerit të policisë se “kjo është gjëja ime, është flamuri im, dhe unë vdes për këtë flamur e nuk e heq”. Pasi sqaroi se kjo ishte kërkesë e Federatës Spanjolle të Futbollit, policia më në fund u tërhoq.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, gjithsesi, vlerësoi rolin e homologut të tij spanjoll, Rubiales, dhe deklaroi se mbeti i kënaqur me pritjen, ndërsa foli për Kanalin 10 të Prishtinës. Ndeshja në fushë nuk pati asnjë problem, dhe dy skuadrat luftuan fort. Gjithsesi, ndërsa televizionet private që transmetuan ndeshjen e përmendën emrin si seleksion i Kosovës, ndryshe ndodhi me komentimin zyrtar të Televizionit Publik Spanjoll. Në Katalonjë e kritikuan ashpër TVE-në. “Fitore dhe sjellje qesharake me shkronja të mëdha”, është titulli i mediat “L’Esportiu de Katalunja”, që shton se “Spanja arriti një triumf të njollosur nga censura në komentin e TVE-së dhe shkruajtjen e emrit të Kosovës me shkronja të vogla”.

Komentatori i televizionit publik, Huan Karlos Rivero, iu referua gjatë gjithë kohës kundërshtarit si “ekipi i Federatës së Futbollit të Kosovës”. Edhe mediat e tjera spanjolle e qortuan shkruajtjen e emrit të Kosovës me shkronja të vogla nga TVE, siç bëri “La Vangardia”

Në këtë mënyrë u luajt kjo ndeshje eleminatore e Botërorit, ku skuadra e shtetit më të ri të Ballkanit e të Europës fitoi shumë njohje për publikun spanjoll me ndihmën e futbollit. Në Spanjë më shumë u morën për përjashtimin nga formacioni të Sergio Ramosit, me kapitenin që hyri vetëm 4 minutat e fundit, dhe komentet janë që ka diçka mes tij dhe trajnerit Luis Enrike. Sa për shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri, rëndësi ka që gjithçka shkoi mirë, dhe në fund spanjollët shtrënguan duart e u përshëndetën me rivalin.

Sfidanti.al