Kosova luan ndaj Spanjës, që nuk ia përmend emrin as në TV publik!

Sa e vështirë derisa të arrish të pranohesh nga të gjithë. Kosova po provon në Spanjë një realitet të vështirë në prag të ndeshjes eleminatore të Kupës së Botës që luhet sonte në Sevilje. Shteti spanjoll nuk e njeh vendin e ri ballkanas dhe televizioni publik i Madridit nuk do ta përmendë asnjëherë emrin Kosovë gjatë transmetimit direkt të ndeshjes. Këtë e bën me dijë gazeta më e madhe sportive spanjolle “Marka”, që sqaron se sipas ligjeve të vendit, komentatori nuk mund të shqiptojë emrin e kundërshtarit. Kjo duket se është pjesë e kompromisit me FIFA-n e UEFA-n për të luajtur ndeshjen, bashkë me himnin dhe simbolet e Kosovës.

Tensionet u ndjenë që në konferencën për shtyp të trajnerit Bernard Shaland. Një gazetar i të përditshmes madrilene “AS” i bëri një pyetje Shalandit për kolegun e tij, Luis Enrike, duke thënë “dua ta pyes trajnerin”. Punonjësi i zyrës së shtypit të përfaqësueses së Kosovës, ndërhyri. “Për cilin trajner e keni fjalën?”. Pasi gazetari i “AS”-it vazhdoi duke thënë se “unë e kam pyetjen për trajnerin”, drejtuesi i konferencës ia përsëriti vërejtjen e tij. “Na thoni për trajnerin e cilës skuadër po pyesni, pasi ne nuk e kemi parë asnjëherë emrin e shtetit tonë në gazetën tua”. Më në fund, gazetari spanjoll tha se pyetja ishte për trajnerin e Kosovës, dhe konferenca u lejua që të vazhdonte normalisht.

Shalandi foli edhe për ndeshjen, ndërsa u pyet nga “Marka”. “Unë drejtoj një ekip të mirë, një ekip me lojtarë shumë të motivuar, – tha zvicerani, – Jemi një vend i ri futbolli, duhet të bëjmë përpara dhe ta marrim çdo ndeshje sipas radhës. Një ndeshje si kjo ndaj Spanjës duhet të na shërbejë për të mësuar, por edhe për të treguar përparimin që kemi bërë deri tani”.

Presidenti i Federatës së Kosovës, Agim Ademi, intervistohet nga media katalanase, “L’Esportiu” dhe thekson se njohja ka ardhur nga FIFA e UEFA, dhe se ekipi përfaqësues dëshiron vetëm që të luajë futboll. Ai nuk deshi të komentonte pyetjen për ngjashmërinë e rastit të Katalonjës me Kosovën, duke përsëritur se do të flasë vetëm për futboll.

Përsa i përket ndeshjes në stadiumin e Seviljes, Shaland pritet të hedhë në fushë lojtarët më të mirë që ka, si Rashicën, Muriqin e Zenelin në fazën sulmuese apo Halimin, Celinën e Kryeziun në mesfushë. Spanja do të ketë kapitenin Sergio Ramos, Koke, Zhordi Albën apo Erik Garsinë, por edhe të rinj si Pedri, ndërsa në sulm do të jenë Dani Olmo dhe Gerard Moreno.

Sfidanti.al