Prag San Marino-Shqipëri, sa shumë ndryshime për të arritur fitoren e dytë!

Përfundon sot etapa e parë e eleminatoreve. Pas fitores në Andorrë dhe humbjes në Tiranë me Anglinë, kombëtarja do të synojë suksesin në San Marino për të marrë 6 pikë në sfidat e Botërorit në muajin mars, nga 7 që ishte objektivi i vendosur nga Edi Reja. Trajneri bëri me dijë që në konferencën për shtyp se do të ketë ndryshime, dhe vërtet pritet që ekipi të ketë mjaft lëvizje në formacion.

Që nga porta ku do të luajë Tomas Strakosha, të reja ka në mbrojtje, pasi Ardian Ismajli ka një problem fizik. Reja besohet se do të krijojë treshen me Hysajn, Gjimshitin dhe Veselin, ose Ajetin. Në mesfushë duhen forca të freskëta dhe priten të luajnë Ramadani e Doka, ose ndoshta Roshi nëse ka kaluar shqetësimin muskulor që ka pasur. Ndryshimi më i rëndësishëm taktik mund të jetë që mesfusha të ndërtohet me 4 lojtarë dhe Kallaku të aktivizohet si titullar pas dyshes së sulmit.

Në ofensivë Reja gjithnjë pëlqen dyshen Cikalleshi-Manaj, por kavajasi nuk ishte në gjendjen më të mirë ndaj Anglisë, ndaj mund të aktivizohet Uzuni apo ndoshta edhe Broja. Formacioni i mundshëm: Strakosha, Hysaj, Gjimshiti, Veseli (Ajeti), Roshi (Doka), Ramadani, Bare, Lenjani, Kallaku, Manaj, (Uzuni), Cikalleshi.

Sfidanti.al