E tregoi veten në sfidën që ishte e tij. Pa Tim Dankënin e tërhequr, dhe pa Toni Parkerin e Pau Gasolin, San Antonio, kishte realisht vetëm një shpresë për të dalë “e gjallë” nga Klivlendi. Kjo shpresë quhej Kouhi Leonard, dhe nuk i la në baltë të tijtë. Në përballjen me atë që quhet me të drejtë si basketbollisti më i mirë i botës, Lebron Xhejmsin, Leonard arriti një sukses të dyfishtë.
Më i rëndësishëm, ai i skuadrës që ia doli pas kohës shtesë 118-115. Më pak i rëndësishmi, por sërish burim krenarie, fitorja e duelit me Lebronin, që shënoi 29 pikë, ndaj 41 të lojtarit të Spërsave. Rekord i karrierës për numrin 2 që shënoi kosha të çdo lloji, dhe nga çdo distancë. Mbështetje e madhe i erdhi nga Lamarkus Olldrixh që shënoi 16 pikë dhe kapi 12 topa në tabela, por edhe nga organizatori Marrej që shënoi 14 dhe shërbeu 6 pasime fituese.
Xhejms u përpoq shumë ktheu ndeshjen në ekuilibër në periodën e dytë dhe të tretë, madje e kaloi Klivlendin në epërsi. Kajri Irving po ashtu luajti mirë për vendasit, duke shënuar 29 pikë, e duke dhënë 9 asistë. Për fat të keq, Kevin Lov, nuk mundi dhe realizoi vetëm 13 pikë. Lebron u tregua sërish përcaktues në periodën e katërt, kur arriti të mbante kampionët në lojë, duke barazuar rezultatin në sekondat e fundit.
Në shtesë, gjithsesi, San Antonio bëri diferencën me ndihmën e Leonardit që realizoi pikët vendimtare. Spërs mbetet skuadra e dytë më e mirë e NBA-së, pas Golden Stejtit, por kanë fatin e keq që janë në një Konferencë me ekipin e Durantit. Klivlendi, pavarësisht humbjes, nuk rrezikon aspak kreun e Konferencës Lindore.