Sllavia e Pragës, pas lavdisë së Planiçkës e Bicain, vjen çerekfinalja e Ligës së Europës

Nuk është aq e shquar sa skuadra tjetër e kryeqytetit, Sparta, por gjithsesi është një fuqi e futbollit çek. Sllavia e Pragës e mbuloi veten me lavdi duke arritur çerekfinalet e Ligës së Europës pas triumfit ndaj Gllazgou Rejnxhërsit të trajnerit Stiven Xherrard. Ekipi i trajnerit Jindrzhih Trpishovski u ndihmua nga golat e shënuar në “Ajbroks” të Gllazgout nga ish-sulmuesi i Skënderbeut, Peter Olajinka (në foto) dhe nga rumuni Nikolae Stançu, me skocezët që e mbyllën ndeshjen me 9 lojtarë.

Sllavia e Pragës pati 4 fitore e 2 humbje në fazën e grupeve, duke mundur minimalisht Leverkusenin 1-0, duke fituar në shtëpi me  Hapoel Ber-Shevanë e duke mposhtur dy herë Nisën e Francës. Në raundin e dytë, Sllavia bëri histori duke mposhtur ekipin e fortë të Premier Ligës, Leisterin, me shifrat 2-0 e 0-0, ndërsa tani kaloi një skuadër shumë të fortë, kampionen e re të Skocisë dhe me histori të gjatë në Europë, Gllazgou Rejnxhërsin. Kualifikimi u arrit me rezultatet 1-1 në Pragë dhe 2-0 në Skoci.

Tashmë, Sllavia pret me besim shortin çerekfinal, i cili nuk pritet të jetë i lehtë, por çekët e kanë treguar veten me disa nga skuadrat më të forta të kontinentit. Ata kryesojnë bindshëm kampionatin e tyre dhe do të jenë padyshim kampionë të Republikës Çeke për herë të tretë radhazi, për herë të 6-të që nga krijimi i shtetit të veçantë në 1992 dhe për herë të 20-të duke llogaritur ish-Çekosllovakinë.

Në Europë, Sllavia ka arritur gjysmëfinalet e Kupës UEFA në 1996, eleminuar nga Bordoja, ndërsa ka qenë dy herë në fazën e grupeve në Champions, si dhe në çerekfinalet e Ligës së Europës në 2019, pra para dy vjetësh. Për Sllavian kanë luajtur dy yje të lavdishëm të futbollit çek si portieri legjendar Frantishek Planiçka dhe sulmuesi ende i paarritshëm për golat, Jozef Bican. Në Kupën e Botës 1934 në Itali, kombëtarja e Çekosllovakisë kishte 8 lojtarë të Sllavias së Pragës.

Sfidanti.al