Triumfi i Liverpulit në fushën e Uolvesit në Premier Ligë u errësua jo pak nga dëmtimi i pësuar në fund të ndeshjes nga portieri vendas, Rui Patrisio. Portugezi u përplas keq me Konor Koudin, dhe u deshën mbi 10 minuta për ta nxjerrë nga fusha. Shënuesi i golit për të kuqtë, Diogo Zhota, ish-lojtar i Uolvesit, theksoi pas ndeshjes se “jeta është më e rëndësishme (sesa futbolli), dhe ne i urojmë Rui Patrisios një rikuperim të shpejtë”.
Frika ishte e madhe për portierin, aq sa komentatorët thonin e shkruanin për çdo moment, duke u shqetësuar se ai nuk po lëvizte. Gjithsesi, pak minuta pas ndeshjes, trajneri Nunjo Espirito Santo deklaroi se Rui Patrisio ishte mirë dhe e e mbante mend përplasjen. Liverpuli fitoi minimalisht 1-0, fitorja e parë në Premier Ligë pas kaq kohës dhe e dyta radhazi pas asaj me Lajpcigun në Champions. Të kuqtë e trajnerit Jurgen Klop janë në vendin e 6-të në renditje me me 46 pikë, 2 pikë më pak se Uest Hemi (që ka luajtur 1 ndeshje më pak) dhe 5 pikë prapa Çelsit në vend të katërt, pra në zonën Champions.
“Për ne pati rëndësi vetëm rezultati, – tha Klopi, – e tillë është gjendja që edhe tri pikë të qelbura do t’i pranoj me qejf. Nuk është momenti të kërkojmë futbollin e bukur, e kemi bërë më parë dhe do ta bëjmë sërish. Luajtëm mirë, sidomos në mbrojtje, por mund të kishim qenë edhe më mirë”.
Sfidanti.al