Denveri fiton në Memfis edhe “pa” Marrejn, mjafton Jokiçi

Seria prej pesë ndeshjesh radhazi jashtë fushe u mbyll në mënyrë triumfale, 5-0. Denver Nagets është kthyer sërish në pretendentin për titull në NBA (edhe pse jo ende në vendet krejt të para në Perëndim), ndonëse suksesi 103-102 në fushën e Memfisit ishte tepër i vështirë. Jo vetëm që vendasit luftuan fort, por edhe ndikoi mbrëmja jo e mirë e njërit prej lojtarëve kryesorë, Xhamal Marrejt. Ky i fundit shënoi vetëm 3 pikë në mbi 32 minuta në parket, me një gjuajtje të saktë (tripikëshe) nga 14 tentativa. Mjaftoi Nikola Jokiç me 28 pikë, 15 topa në tabela, 7 asistë e 2 vjedhje topi. Edhe pse nuk arriti dot tripëll dabëll, sërish basketbollisti qendër ishte vendimtar, i ndihmuar nga Barton e Porter mbi të gjithë (të dy me nga 21 pikë).

Memfisi pati disa lojtarë mjaft të mirë në fushë si Bruks (20 pikë), Valanciunas (14 pikë, 11 topa në tabela), Klark (20) apo Morant (16 pikë e 9 asistë). “Ne fituam ndërsa Marrej shënoi vetëm një kosh, – tha Porter, – kjo tregon sesa e fortë është skuadra jonë, pasi Marrej është nga më të mirët që kemi. Nëse fitojmë ndeshje të tilla, kjo na jep nxitje të madhe”. Denveri është në vendin e pestë në Konferencën Perëndimore me 22 fitore e 15 humbje, vetëm dy humbje më shumë se Lejkërsat e vendit të tretë.

Sfidanti.al