Shqipëria kundër Kosovës , kujdes nga etiketa “ vëllai kundër vëllait”

Shqipëria kundër Kosovës në futbollin e femrave, është një trill i shortit  për të na ndihmuar  që të flakim emërtimin gënjeshtar “ndeshje midis vëllezerve”.  Në fakt,  për hir të së vërtetës, kur mendon se edhe ekipi Kombëtar i Shqipërisë mbahet në këmbë me vajza me origjinë nga Kosova,  mund të bëhet një korrigjim : “ ndeshje midis motrave”.  Por, sidomos në futboll, për të cilin  thonë se vlon gjaku më shumë se në çdo sport tjetër,  kur ndizet fitili i ndeshjes  me inat sportiv dhe me pasion për fitoren,  nuk është toka ideale për të gjetur vëllain apo motrën.  Kështu, kur Kosova dhe Shqipëria  të luajnë kundër njëra-tjetrës në një ndeshje të eliminatore për Kupën e Botës 2019-të, më parë se të zbulojmë lidhjet e gjakut midis palëve kundërshtare, le të pretendojmë që loja të ketë nder dhe besim, pa bërë dhurata në gjirin e familjes.

Sapo është mësuar shorti, nuk mund të mungonte një pyetje krejt shqiptare, që brënda topit të futbollit, ka edhe “bujarinë”  për të cilën më shumë duhet të frikësohemi sesa të mburremi: “ Nëse Kosovës do t’i duhej fitorja në fund, atëhere  mos harrojmë se kjo është një ndeshje midis vëllezërve ( motrave në rastin tonë)” Një pyetje që e fut në siklet trajnerin Grima, por më shumë siklet i jep vetë futbollit tonë, i cili pasi po jeton dënimin e lojës së “burrave” ( Skënderbeut), as nuk ka shansin të projektojmë ndeshje ku njëri vëlla t’i shtyp syrin vëllait tjetër, pa patur frikë se ka gjëra të tjera për të mësuar në garën e femrave.

Sfidanti.al