E nisi karrierën pikërisht në këtë kompleks, në Akademinë e njohur të Liverpulit. Stiven Xherrard bëri një rrugë të gjatë derisa sot, pas një largimi disa vjeçar, shkeli përsëri në atë që duhet të quhet shtëpia e tij sportive. Ish-kapiteni, që e ka mbyllur me futbollin e luajtur, do të jetë tani e tutje një nga trajnerët e Akademisë së Liverpulit. Ishte vetë trajneri i skuadrës së parë, Jurgen Klop (që kontrollon gjithë akademinë), që vendosi që “Xherro” të punonte ngushtësisht me drejtorin e Akademisë, Aleks Ingëltorp. Stivi, 36-vjeçar, është kapiteni më jetëgjatë i Liverpulit, duke luajtur 710 ndeshje me fanelën e kuqe.
“Ndjej sikur ka përfunduar një cikël, – tha ai, pasi mori rolin, – pra, që unë u ktheva në vendin ku e nisa profesionin”. Xherro është nga të paktët yje të mëdhenj të botës që nuk arriti të fitonte një titull kampion, ndonëse provoi një emocion të madh duke fituar Ligën e Kampionëve me Liverpulin e Benitesit në 2005.
Sfidanti.al