Duket sikur ishte një ëndërr, por gjithçka mund të prekej me dorë. Stadiumi “Arena Konda” në Çapeko përjetoi këtë të premte një nga ditët më emocionuese që mund të kalojë një impiant futbolli. Publiku në tribuna ishte dëshmitar i daljes në fushë të skuadrës së Çapekoenses, vetëm pak javë pasi 19 lojtarë të saj u shuan në aksidentin tragjik ajror në Kolumbi. Si një ushtri e kthyer nga lufta, Çapekoense ishte “e dhjetuar”, ndaj edhe lotët në sytë e publikut nuk munguan aspak.
Në mes futbollistëve që nuk ishin fare në avion ditën e tmerrshme, në fushë ndodhej edhe njeriu që “u kthyer nga vdekja”, i mbijetuari Alan Rushel. Gjithsej, ishin tre lojtarë që shpëtuan, por vetëm Rushel ishte në gjendje të niste stërvitjen, ndërsa të tjerët vazhdojnë mjekimin intensiv. Trajneri i ri, Vagner Mansini, do ta udhëheqë skuadrën në ndeshjen e parë pas ditës së zezë të 28 nëntorit, në një miqësore ndaj Palmeirasit. Sfidanti.al