Përse Tite e quan Nejmarin edhe “hark”, edhe “shigjetë”

Barcelona ishte dhe mbetet një klub i madh, e një lojtar në Katalonjë mund të rritet shumë. Padyshim, por trajneri i Brazilit, Tite, mendon se Nejmar është pjekur plotësisht me fanelën e Paris SG dhe jo me atë “blaugrana”. Me gjasë kjo ka ndodhur për shkak të moshës, dhe për shkak se tek PSG-ja ai nuk është nën hijen e Lionel Mesit, por “vetë zot, e vetë shkop”.

“Nejmar është pjekur shumë, – thotë Tite për FIFA-n, – në ditët e tij të hershme të karrierës, kur ishte tek Barcelona apo edhe tek Brazili, ai mund të luante në krah, të shënonte gola, të driblonte, të vraponte, pra gjëra individuale, ndërsa tani e ka zgjeruar hapësirën e lojës, dhe përveçse shënues ai di të krijojë për të tjerët. Ai tani është siç e quaj unë “hark dhe shigjetë”. Ai e ka rritur arsnenalin e tij”. Nejmari shënoi 105 gola e shërbeu 76 asiste në 186 ndeshje për Barcelonën, si dhe 83 gola e 47 asistë në 103 ndeshje për Paris SG, me mesataren 0.8 gola për ndeshje tek francezët.

Sfidanti.al