Vlen më shumë sesa tregon mosha e tij. Armando Broja mund të jetë 19 vjeç, por në fushë sillet si një profesionist i rritur, dhe kështu bëri edhe në ndeshjen e tij më të rëndësishme të sezonit deri tani në Holandë. Sulmuesi i kombëtares shënoi gol dhe kaloi në avantazh Viteshen në gjysmëfinalen e Kupës ndaj Venlosë, e në fund iu gëzuar suksesit 2-0 e kualifikimit për në finale.
Për çudi kjo ishte vetëm rrjeta e tij e parë në Kupë, ndërsa në kampionat ka shkëlqyer fort. Viteshe e pati të vështirë edhe pse ishte skuadra më e mirë në fushë, aq sa Broja shënoi vetëm në minutën e 75-të, ndërsa në Usama Tanane realizoi në mënyrë të shkëlqyer 6 minuta para fundit.
“Nuk kam fjalë që të përshkruaj sesi ndihem, – theksoi Broja pas ndeshjes për televizionin e klubit, – kishte një kohë të gjatë që Viteshe nuk dilte në finale, pra jemi shumë të lumtur që ia dolëm. Ishte një ndeshje e vështirë, ndonëse ne krijuam shumë raste që në fillim, por pastaj kundërshtari bëri presion. Gjithsesi, rëndësi ka që arritëm finalen, shënuam dy gola. Kjo është gjëja kryesore. Jam i lumtur për golin tim sepse kisha punuar shumë në stërvitje. Sidoqoftë, fitorja ishte e gjithë skuadrës”.
Lojtari 19-të vjeçar momentalisht është golashënuesi më i mirë për moshën e tij në 10 ligat kryesorë të Evropës, ku ka shënuar 9 gola dhe ka dhuruar 2 asiste në 20 ndeshje të luajtura këtë sezon.
Sfidanti.al