Më shumë se dy dekada më parë, një njeri i regjur i topkëmbës sonë flinte me pistoletë poshtë jastëkut në një qytet që nuk ishte aspak ndër më kokëshkretët. Ky trajner quhej Farruk Sejdini, ishte viti 1999 dhe “xhaxhi” kishte marrë përsipër të drejtonte Luftëtarin e Gjirokastrës. Sot, shumë vite më vonë, Sejdini thotë se ishte kandisur nga Gramoz Ruçi për ta pranuar atë detyrë, ndërsa kryetari i sotëm i Parlamentit kishte përfituar nga fakti se trajneri kishte rrëkëllyer një gotë më shumë sesa bënte zakonisht.
Ndërsa legjenda Sefedin Braho i thoshte “largohu e kthehu në Tiranë se këtu të vrasin”, e kur miqtë ndër më të mirët i gjente në Lazarat, Sejdini me kokëfortësinë e tij nuk deshi ta linte përgjysmë punën e nisur. Edhe pse kishte jetuar gjithë kohën me Dinamon e Tiranës, një “Barcelonë” për Shqipërinë (siç e thotë vetë), karakteri shqiptar nuk e lejonte të dorëzohej, plus që ishte mësuar me qytetet gjysmëfshatra të vendit tonë, edhe si lojtar, edhe si teknik, edhe si njeri i qejfit dhe i miqve.
Shqipëria e sotme nuk është ajo e 1999-ës, por sërish për djem italianë të përkëdhelur nga fati që të kenë qenë yje futbolli, është padyshim një vend tepër i egër. Françesko Moriero ishte i fundmi nga këta djem të përkëdhelur nga talenti, që nuk përballoi dot kontrastin e thellë mes realitetit të dy brigjeve të përkundërt të Adriatikut. Moriero (dhe ndihmësi i tij, Mikoli) thonë se dhanë dorëheqjen, Dinamo dhe presidenti Pontreli pohojnë se i kanë shkarkuar, por kjo ka pak rëndësi. Në një realitet më të kënaqshëm, dy italianët nuk do të ishin larguar, të paktën jo kaq shpejt. Kjo braktisje e “varkës”, kjo arrati pas vetëm pak javësh në Shqipëri, është një ikje nga sytë këmbët, një tmerr deri në palcë.
E kam pyetur vetë presidentin Pontreli duke ia vënë në dyshim suksesin e italianëve këtu tek ne. E pyeta edhe Morieron, duke i kërkuar të më thoshte sesa të vështirë e kishte të jetonte në Shqipëri e të ndodhej në stadiumet e Kategorisë së Parë, ndërsa ishte mësuar me Lombardinë dhe “San Siron”. M’u përgjigj se Tirana ishte e bukur, veçse Shqipëria nuk është Tiranë, dhe futbolli në Burrel, Peshkopi, Shijak apo Rrogozhinë, sa për të përmendur disa emra, nuk është ai i “Arenës Air Albania”. Dinamo tani ka vendosur të marrë një trajner shqiptar, ashtu siç u bind më në fund Partizani, me shumë vështirësi e pasi e pësoi disa herë. Italianët, përpara sesa të pranojnë detyrat tek ne, duhet të shkojnë te kafeneja e “xhaxhit” Farruk Sejdini, për të marrë një leksion prej “shqipoje”.
Sfidanti.al