Mediat spanjolle kanë akuzuar me pamje filmike Sergio Ramosin, se ka pështyrë Iago Aspas gjatë ndeshjes së Kupës së Mbretit, të cilën Real Madridi e humbi në “Bernabeu”, kundër Celta Vigo. Në video shihen qartë imazhet e ofendimit dhe episodi i pështyrjes së kundërshtarit. Pra, kapiteni i “Los Blancos” bëhet sërish personazh në një kapitull të ri, që tejkalon sjelljen rigoroze sportive. Pas festimit të tij provokues, në ndeshjen e dytë të raundit të “nokaut”-it të “Copa del Rey”, kundër Sevilla, tani Sergio Ramos tregoi një mungesë respekti ndaj kundërshtarit.
Madje, kësaj here më shumë se kaq, e ofendoi rëndë dhe bëri një gjest antisportiv e të dënueshëm. Qendërmbrojtësi i Real Madridit pështyu sulmuesin e Celta Vigo, me të cilin kishte pasur disa konfrontime gjatë ndeshjes. Pavarësisht mosmarrëveshjeve që mund të ketë pasur sulmuesin kundërshtar, është logjike që mes kolegëve të mos arrihet deri në pikën e të pështyrit. Megjithatë, Ramos, i trysnuar nga rezultati negative, i ka tejkaluar limitet sportive dhe tashmë pritet dënim i rreptë për të.