Gabriel Zhezus duket se është arsyeja që Sergio Aguero duket i shqetësuar. Ylli argjentinas i Mançester Sitit pati një bisedë, thuajse kokë më kokë, me trajnerin e tij Pep Guardiola, në orët e vona të së enjtes, dhe mediat britanike raportuan se është pikërisht braziliani arsyeja e bisedimeve. Përderisa Pep takohet me Kunin dhe bisedon në një orë të vonë në restorant, do të thotë se diçka nuk shkon, ndryshe bisedimet mund të bëheshin në orare normale dhe në vende normale. Sipas mediave në Angli, Gabriel Zhezus mund t’i zerë vendin në formacion Agueros, ndërsa është prezantuar si blerja e fundit e “qytetarëve”, me vlerë 33 milionë euro. Guardiola besohet se i ka thënë Agueros se duhet të luajë më mirë, pasi niveli i tij i dobët po ndikon në mungesën e rezultateve të skuadrës. Që nga nëntori, Kun ka shënuar vetëm 3 herë.