Evans këndon si Stingu: “Unë jam një anglez në Melburn”!

Kënga e famshme e Stingut është “unë jam një anglez në Nju Jork” (I’m an Englishman in Neë York), motiv që duket se e ka frymëzuar pa masë patriotin e tij tenist, Dan Evans. Djaloshi 26-vjeçar shkaktoi të papriturën e dytë të madhe në Australian Open, duke mundur vendasin Bernard Tomiç. Numri 51 i botës luftoi për 2 orë e 48 minuta kundër favoritit vendas, ndërsa një raund më parë mposhti me 5 sete kroatin Marin Çiliç, numrin 7 të botës.

Mediat e vendit të tij i kishin qarë hallin Evansit se nuk kishte sponsor, pas largimit të Najkut, dhe se kishte veshur një bluzë që kushtonte ndoshta 20 mijë lekë, konvertuar me njësinë monetare shqiptare. Ai iu përgjigj në fushë dhe tani do të fitojë 170 mijë euro për faktin se do të ndeshet me turin e katërt me francezin Zho-Vilfrid Conga. Kurrë më parë, nuk kishte arritur deri këtu.