Liverpul, kjo fitore ishte për Ali (sonin) dhe për … Championsin!

Kur Kërtis Xhons shënoi golin e parë në “Bramall Lejn” dhe të dytin e sezonit në Premier Ligë, ai bëri një dedikim. “Kjo është për ty, Ali”, – ishin fjalët e lojtarit të ri liverpulas, dhe përkushtimi ishte për babanë e portierit Alison Beker, i cili u gjet tragjikisht i mbytur në pishinë pak ditë më parë. Portieri i Liverpulit u tha se nuk kishte mundësi të shkonte ta varroste babanë, por ai gjithashtu nuk ishte as në stadiumin e Shefild Junajtidit mbrëmjen e së dielës.

Edhe trajneri Jurgen Klop pohoi se suksesi u arrit në shenjë respekti dhe homazhi për babain e numrit 1 të ekipit, ndonëse të kuqtë kishin shumë më tepër se kaq në lojë. Tri pikët erdhën në momentin më të vështirë të sezonit, pas katër humbjeve radhazi, diçka që nuk ndodhte që nga 1923-1924. Liverpuli synon të kualifikohet për në Champions sezonin e ardhshëm, por për momentin është 2 pikë prapa vendit të katërt që mbahet nga Uest Hemi.

Klopi bëri edhe komentet për ndeshjen duke i “hequr veshin” opinionistëve. “Kurrë nuk kam dyshuar tek lojtarët e mi, – tha ai, – ja sot ne fituam, por askush nuk thotë se ishim të bashkuar. Kur ne humbasim, thonë se nuk jemi të bashkuar. Nuk është kaq e thjeshtë. Ishte një javë speciale dhe ne do të japim gjithçka deri në fund të sezonit”.

Sfidanti.al