Hysaj tek PSG? E sigurt është që shqiptari largohet nga Napoli!

Nëse do të kishim qenë të paktën 2 vjet më parë, gjithçka do të kishte qenë ndryshe. Elseid Hysaj ishte në atë kohë në kulmin e formës me Napolin, dhe për të interesoheshin klube të rëndësishëm në Europë si Bajerni apo Atletiko e Madridit. Gjithsesi, edhe tani shërbimet e lojtarit të kombëtares shqiptare janë të vlefshme dhe ja ku del lajmi për interesimin e Paris SG.

Media amerikane, ESPN, së cilës i referohet e përditshmja italiane, “Il Matino”, njofton se drejtuesit parizienë kanë përpiluar një listë me emra të lojtarëve që u përfundon kontrata në fund të sezonit, si Alaba, Vajnaldum e ndonjë tjetër, dhe në këtë listë është edhe emri i Hysajt. PSG kërkon të forcojë ekipin në çdo repart, pra edhe në mbrojtje, por duke mos shpenzuar shumë para për çdo transferim, me drejtuesit që janë të shqetësuar nga rezultatet e këtij edicioni, sidomos në Ligën e Parë të Francës.

Mbrojtësit 27-vjeçar, ndërkaq, i mbaron në verë akordi me Napolin, dhe klubi italian nuk ka dhënë shenja për rinovim, ndoshta për shkak të pretendimeve të tij për rrogë, ndërsa kriza financiare ndikon negativisht.

Shkodrani ndodhet në Itali që prej fillimit të karrierës, në sezonin 2011-2012, kur ishte në radhët e Empolit në Serinë B, duke u ngjitur me të njëjtën skuadër në Serinë A. Në 2015, Hysaj kaloi tek Napoli, i kërkuar nga ish-trajneri i tij, Mauricio Sarri, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit gjatë gjithë këtyre 6 sezoneve.

Sfidanti.al