Nga 90 minuta ndeshje do të mbetet në histori ky moment. Olivie Zhiru tregoi veten se është vërtet tepër i talentuar, pavarësisht paraqitjes-kaba, dhe me një gol tepër të veçantë bëri që Çelsi i Londrës të jetë tani me një këmbë në çerekfinalet e Championsit. Realizimi me roveshatë në pjesën e dytë në fushën e Atletikos së Madridit, ishte rrjeta e vetme e përballjes.
Francezi 34-vjeçar, që shpesh herë është vendosur në diskutim, dhe është lënë në stol, ka momente të krahasueshme me yjet më të mëdhenj të topkëmbës. “Ishte një pritje e gjatë për mua, dhe festimi ishte si një çlirim, – tha kampioni i botës, – rëndësi ka që shënova golin. Unë i dashuroj roveshatat, dhe për fat topi përfundoi në rrjetë. E dimë se çfarë rëndësie kanë golat jashtë fushe në Europë, ndaj jam shumë i lumtur që ndihmova ekipin”.
Tashmë Zhiru është barazuar me kampionët e roveshatave. Kristiano Ronaldo mbetet më i shquari ndër ta, me realizimin e jashtëzakonshëm për Realin pikërisht ndaj ekipit ku luan tani, Juventusit, në Torino në 2018, kur edhe u duartrokit nga tifozët italianë. Kush e harron golin e famshëm të Garet Bejlit, po për Realin dhe gjithashtu në 2018, veçse finalen e Ligës së Kampionëve kundër Liverpulit.
Uellsiani ndihmoi madrilenët e Zidanit të fitonin trofeun për herë të tretë radhazi. Gjithsesi, gola me roveshatë në Champions kanë shënuar edhe të tjerët si kroati Mario Manxhukiç, këtë herë kundër Realit, ndërsa i dha një barazim të përkohshëm 1-1 në finalen ndaj Juventusit në 2017. Sulmuesi anglez Piter Krauç pati një realizim të veçantë për Liverpulin në sfidën e “Anfildit” ndaj Gallatasarajit. Një roveshatë gati e harruar, por ndoshta më e bukura është ajo e futbollistit të Fiorentinës, Mario Bresan, në portën e Barcelonës para 22 vjetësh në 1999. Bresan veçohet sepse goditja e tij ishte përtej kufijve të zonës së rreptësisë.
Sfidanti.al