Modestia nuk ka qenë ndonjë herë “vesi” i tij, dhe trajneri portugez nuk heq dorë nga huqet edhe kur ndodhet me shpatulla pas murit. Në Angli, kompanitë e basteve po e japin si kandidatin numër 1 për t’u shkarkuar në Premier Ligës, pasi Totenhemi po kalon nëpër një seri negative rezultatesh. Gjithsesi, Murinjo kaloi në sulm në konferencën për shtyp pas humbjes 1-2 me Uest Hemin. “Metodat e mia të stërvitjes janë më të mirat në botë (s’ka të dytë si unë)”, – tha ai. Gjithsesi, statistikat janë të tilla, që Totenhemi ka humbur 5 ndeshje në 6 të fundit, dhe trajneri është në rekordin negativ të karrierës, pasi kurrë nuk ka marrë 3 pikë në 6 ndeshje. Spërsat janë 9 pikë larg zonës Champions, dhe nuk dihet nëse do të kenë forcë për t’u afruar. Nga trajnerët e “gjelave” që nga viti 2007, vetëm Huande Ramos ka arritur rezultate më të dobët deri tani se Murinjo. Zhoze ka 23 fitore, 12 barazime e 15 humbje në 50 ndeshe, me 46 për qind të pikëve të fituar, ndaj 59 të Tim Shervudit, 56 për qind të Poçetinos, 54 të Andre-Vijas Boasit dhe 49 të Harri Redknapit.
Sfidanti.al