Një duel në distancë prej disa qindra kilometrash. E tillë është largësia mes Hungarisë dhe Holandës, ku luajnë dy prej sulmuesve më të mirë shqiptarë të momentit, Myrto Uzuni dhe Armando Broja. i pari shënoi gol ditën e sotme për Ferencvaroshin në Superligën hungareze, ndërsa i dyti gjeti rrugën e rrjetës për Viteshen në Superligën holandeze.
Goditja e Uzunit ishte tripikëshe, sepse ai ishte autor i golit të vetëm në fitoren 1-0 ndaj Honvedit në një derbi të Budapestit, duke i dhënë edhe më shumë epërsi ekipit të tij në krye të renditjes e duke e afruar me titullin. Broja nuk ishte kaq me fat, ndonëse rrjeta e tij ishte ndaj një kundërshtari të famshëm si PSV Ajndhoveni. Viteshe u mund 1-3 dhe kjo ishte disfata e katërt radhazi për skuadrën që pak javë më parë ishte në konkurrim me Ajaksin për titullin.
Dy shqiptarët janë barabar me gola këtë edicion në kampionat, nga 8 secili, ndonëse Uzuni është më lart me asiste, duke pasur 6 asiste ndaj vetëm 1 të Brojës. Natyrisht, kjo lidhet edhe me faktin se beratasi është 23 vjeç, ndërsa sulmuesi i huazuar nga Çelsi vetëm 19.
Sfidanti.al