Ishte në qiellin e shtatë trajneri i Interit pas suksesit në derbi, edhe pse nuk e dha veten. E vetmja gjë që tregonte se Antonio Konte ishte një njeri vërtet i lumtur ishte drita që rrezatonte fytyra e tij (medemek, çehrja), si dhe buzëqeshja që herë pas here i krijohej ndërsa fliste. Suksesi ishte gjigand, 3-0, i arritur në një derbi të vështirë ndaj një Milani që e kishte mundur fazën e parë, që ishte eleminuar nga kupa vetëm në minutën e fundit të kohës shtesë, dhe që një javë më parë ishte në krye të Serisë A.
“Padyshim prisja një ndeshje të vështirë, – tha trajneri zikaltër, – kundër një rivali të fortë. Milani e tregoi veten se është një skuadër e fortë dhe duhet t’i bëj përgëzimet e mia. Jam i lumtur me lojtarët e mi, ishte një kënaqësi e madhe, pasi puna shpërblehet. Mendoj se ndeshjen e kishim përgatitur siç duhet, me vëmendjen dhe përqëndrimin e duhur. Jam shumë i kënaqur për gëzimin që i dhamë tifozëve tanë që na pritën në mënyrë madhështore, ia dedikojmë atyre këtë fitore, një fitore e niveleve më të larta. Të mos flemë mbi dafina, sepse ndeshjet e ardhshme ndaj Xhenoas e Parmës do të na japin sinjalin e duhur për nivelin e pjekurisë që ka arritur kjo skuadër”.
Sfidanti.al