Lebron “thotë” 35 000 pikë në NBA, por mundet nga Bruklini

Nuk bëri punë fakti se ndeshja luhej në shtëpi, dhe se ylli kryesor vendas ishte i frymëzuar si shpesh herë këtë sezon. Lebron Xhejms shënoi 32 pikë në sfidën Lejkërs-Bruklin, duke kaluar “çatinë” e 35 000 pikëve në karrierë në NBA, por kjo nuk mjaftoi për të fituar. Miqtë nga Nju Jorku ia dolën 109-98, duke arritur fitoren e 5-të radhazi dhe duke i kujtuar Lebronit sesa e vështirë do të jetë të mbrojë titullin e fituar vjet. “Mbreti i basketbollit” ka tani 35 017 pikë, rreth 1900 pikë më pak sesa Karl Maloun i vendit të dytë në renditjen e të gjitha kohëve.

Lejkërsat ishin pa Entoni Dejvisin dhe gjermanin Denis Shrëder, por edhe Netsave i munguan 5 lojtarë mes të cilëve ai që mund të quhet ylli kryesor, Kevin Durant. Xhejmsi u kritikua për lojën e tij pavarësisht 32 pikëve, 8 topave në tabela e 7 asistëve, sepse gaboi shumë në gjuajtje nga distanca (1-6 për tri pikë) dhe nga gjuajtjet e lira (3-6). Kajl Kuzma ishte i vetmi lojtar tjetër i Lejkërsave që bëri diçka duke shënuar 16 pikë e duke kapur 10 topa në tabela.

Xhejms Harden ishte më i miri për Bruklinin me 23 pikë, 5 topa në tabela e 11 asistë, 2 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje, ndërsa Kajri Irving pati 16 pikë, 7 topa në tabela, 5 asistë. Bruklin mban tani vendin e dytë në Konferencën Lindore, me 19 fitore e 12 humbje, dhe është shumë më tepër skuadër se javët e para, ndërsa Lejkërsat janë po në vend të dytë në Perëndim me 22 fitore e 8 humbje.

Sfidanti.al