Të kuptohemi, nuk e kanë me palën shqiptare, të paktën nuk e përmendin atë aspak. Kritika e mediave britanike për qeverinë e zotit Boris Xhonson ka të bëjë me atë që vlerësohet si përjashtim nga rregulli për disa yje milionerë të futbollit. Ky është “lajtmotivi” i komentit të bërë nga analisti Xhef Pauell për “Deili Meilin”, që titullohet se “futbolli, lakmia dhe egoizmi shkojnë krah për krah, nuk duhej të kishte përjashtim nga karantina për lojtarët-milionerë të përkëdhelur”.
Federata Angleze mori leje nga kryeministri Xhonson dhe autoritetet mjekësore që të udhëtonte drejt Shqipërisë, të luante ndeshjen eleminatore të Kupës së Botës dhe të kthehej pa qenë e detyruar të kalonte periudhën e karantinës, sipas rregullit të përgjithshëm. Ky përjashtim padyshim që ka shkaktuar pakënaqësi tek opioni publik, pasi qytetarët e tjerë nuk marrin leje të tilla dhe provojnë vështirësi të mëdha përsa i përket punës, shëndetit dhe aktivitetit të jetës së tyre të përditshme. Xhef Pauell thjesht i jep zë kësaj revolte publike ndaj përjashtimit të yjeve të futbollit nga normat që vlejnë për të tjerët.
Sfidanti.al