Në përfundim të ndeshjes së Championsit në “Kamp Nou”, trajneri i Paris SG, Maurisio Poçetino, dhe kapiteni vendas, Lionel Mesi, i dhanë dorën njëri-tjetrit në atë që mund të cilësohet si një përshëndetje kortezie. Mund të ketë qenë edhe pikërisht kështu, ndonëse nëpër media dhe rrjetet sociale nisën menjëherë aludimet se trajneri parizien dhe ylli argjentinas mund të kenë diskutuar për një kalim të mundshëm të këtij të fundit tek PS-ja këtë verë. Vetë Poçetino e hedh poshtë këtë “sikur”. “Me Mesin thjesht thamë përshëndetje dhe mirupafshim, – tha argjentinasi, – ne nuk folëm për të ardhmen e tij”. Poçetino deklaroi edhe se ka besim që Kilian Mbape do të vazhdojë të jetë me kampionët e Francës. “Kemi besim të plotë se ai do të jetë me ne për shumë vjet, dhe se PSG mund t’i japë Mbapesë gjithçka për ta bërë të lumtur”, – u shpreh trajneri. Më herët, Mançester Siti hodhi poshtë raportimet mediatike se i ka bërë Mesit një ofertë prej rreth 500 milionë eurosh për 4 vjet, duke theksuar se kjo gjë nuk ka ndodhur as verën e kaluar, dhe as tani. Kontrata e superyllit 33-vjeçar me Barcelonën për fundon në verë dhe ai ka të drejtë ligjërisht të bisedojë me klubet e tjerë.
Sfidanti.al